Ndërlidhjet

Putin viziton Romën dhe Vatikanin


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, po viziton Romën ku do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit italianë dhe gjithashtu është planifikuar të takohet me Papa Françeskun në Vatikan.

Disa analistë, kanë thënë se vizita e Putinit, mund të vendosë bazat për një vizitë potenciale të Papës në Rusi.

Agjencia ruse e lajmeve TASS, njoftoi se vizita e 4 korrikut, do të përfshijë bisedime me presidentin italian, Sergio Mattarella dhe kryeministrin Giuseppe Conte.

Udhëheqësi rus kërkon të forcojë lidhjet ekonomike me Italinë e cila është anëtare e NATO-s dhe BE-së.

Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, i cili ka shprehur admirim për Putinin, ka bërë thirrje për lehtësimin e sanksioneve të BE-së të vendosura kundër Moskës, për shkak të aneksimit të Krimesë, dhe për mbështetjen e saj ndaj luftëtarëve separatistë në Ukrainën lindore.

Putin tha në një intervistë me gazetën italiane Il Corriere della Sera se vlerëson "angazhimin e Italisë për të forcuar mirëkuptimin reciprok në zonën euroatlantike".

“Ne kemi një marrëdhënie të veçantë me Italinë, që është testuar me kohë", tha ai.

Rusia dhe Perëndimi janë në tensione të vazhdueshme lidhur me çështjet që përfshijnë konfliktet e Ukrainës dhe Sirisë, ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet e vendeve të tjera, dhe sulmin nervor ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin jugor britanik, Salisbury.

XS
SM
MD
LG