Ndërlidhjet

Gjibraltari ndalon një cisternë të naftës me destinacion Sirinë


Cisterna e naftës e ndaluar në Gjibraltar

Autoritetet në Gjibraltar thonë se kanë ndaluar një cisternë nafte, me dyshimin se po bënte bartjen e naftës së papërpunuar në Siri, duke shkelur kështu sanksionet e Bashkimit Evropian.

Një ekip prej rreth 20 marinsave dhe 42 komando, fluturuan nga Britania e Madhe në Gjibraltar për të ndihmuar në kapjen e cisternës, me kërkesë të qeverisë së Gjibraltarit.

Kërkesa për ndalim ishte bërë nga Shtetet e Bashkuara.

Cisterna dyshohej se bënte bartjen e naftës në rafinerinë e Banias të Sirisë, e cila është subjekt i sanksioneve të BE.

Të dhënat nga Renifitiv Eikon, një burim i të dhënave për lëvizjen e cisternave, tregon se cisterna është ngarkuar nga Irani.

Nëse konfirmohet se cisterna është ngarkuar nga Irani, në përpjekje për ta dërguar në Sirinë e shkatërruar nga lufta, atëherë kjo përbën shkelje të sanksioneve të SHBA-së për eksportuesit iranianë të naftës.

Irani, së bashku me Rusinë, i kanë dhënë mbështetje të rëndësishme presidentit sirian Bashar al-Asad, gjatë gjithë luftës civile të Siri – që tani ka hyrë në vitin e nëntë.

Konflikti, i cili filloi me një goditje qeveritare ndaj protestuesve në mars 2011, ka vrarë më shumë se 370,000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.

XS
SM
MD
LG