Ndërlidhjet

Bisedimet ndërmjet talibanëve dhe shoqërisë afgane shënojnë përparim


Bisedimet ndërmjet talibanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë afgane.

Talibanët dhe përfaqësuesit e shoqërisë afgane, gjatë bisedimeve në Katar, kanë rënë dakord mbi një plan, për një zgjidhje të ardhshme politike.

Ky plan, shihet si hap madhor drejt përfundimit të luftës, gati 18 vjeçare në Afganistan.

Në një deklaratë të përbashkët, të dyja palët, u pajtuan të reduktojnë “viktimat civile në nivelin zero”, dhe të sigurojnë të drejtat themelore për gratë afgane, në çështjet “politike, sociale, ekonomike, arsimore dhe kulturore”, në një mënyrë, që është në përputhje me “vlerat e islamit”.

Dokumenti nuk është detyrues, dhe shihet si një kornizë bazë, për një marrëveshje përfundimtare të paqes në bisedimet e ardhshme ndërmjet talibanëve dhe përfaqësuesve të qeverisë afgane.

I dërguari i SHBA-së, Zalmay Khalilzad, e përshëndeti përparimin e bërë në bisedimet ndërmjet talibanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë afgane.

“Ky dialog jep shpresë për një përparim të mëtejshëm në përfundimin e luftës dhe vuajtjeve të tmerrshme të popullit afgan”, shkroi Khalilzad në Twitter.

Ndërkohë, rrethi i ri i bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve filloi më 1 korrik. Khalilzad i tha Radios Evropa e Lirë se është arritur shumë përparim.

Ky përparim, përfshin pajtimin e përfaqësuesve talibanë, që të takohen për herë të parë ballë për ballë me zyrtarët qeveritarë, në këtë format të diskutimeve. Megjithëse, zyrtarët afganë më shumë morën pjesë në kapacitet privat sesa zyrtar.

Delegacioni afgan kishte në përbërje: zyrtarë afganë, politikanët e opozitës, gratë dhe anëtarët e organizatave joqeveritare afgane.

Talibanët kishin refuzuar më parë të takoheshin drejtpërdrejt me ndonjë anëtar të qeverisë së Afganistanit, duke i quajtur ato "kukulla të perëndimit".

XS
SM
MD
LG