Ndërlidhjet

Bullgaria u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të negociojnë


Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov
Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, tha se Serbia dhe Kosova duhet të ulen dhe të merren vesh për disa çështje.

Ai i bëri komentet në kuadër të samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahet në Bosnje.

Borisov tha se taksa, të cilën Kosova e ka vendosur ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, i komplikon gjërat, por ka theksuar se, edhe Bullgaria me Turqinë kanë probleme të caktuara, por që përfaqësuesit e të dyjave vendeve mbajnë takime.

Kryeministri i Bullgarisë, tha gjithashtu se, nuk i ka të qarta kritikat të cilat ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i kishte bërë në drejtim të tij.

Ditë më parë, kryeministri bullgar kishte thënë se ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, i emëruar si shef i politikës së Jashtme të BE-së, duhet të përfaqësojë qëndrimin e të gjithë bllokut, pavarësisht se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndaj këtij vlerësimi, pati reaguar Daçiq, duke thënë se deklarata e kryeministrit bullgar është “paturpësi”.

Pas kësaj përplasjeje, të dyja vendet ftuan ambasadorët përkatës në bisedime.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë njoftoi se ambasadori serb në Sofje u ftua në një takim për shkak të komenteve të ministrit Daçiç. Disa orë më pas, edhe Serbia ftoi të ngarkuarin me punë të Bullgarisë në Beograd, për bisedime në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

XS
SM
MD
LG