Ndërlidhjet

OKB kërkon mbylljen e qendrave të ndalimit të migrantëve në Libi


Logoja e Kombeve të Bashkuara.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për mbylljen e të gjitha qendrave të ndalimit të refugjatëve dhe migrantëve në Libi, duke thënë se këto ndërtesa nuk kanë kushte të përshtatshme për mbajtjen e migrantëve.

Ky apel vjen pothuajse dy javë pasi mbi 50 persona u vranë nga sulmet ajrore, teksa ishin duke u mbajtur në një qendër ndalimi në kryeqytetin libian, Tripoli.

Shumica e viktimave ishin afrikanë, të cilët kishin ikur nga varfëria dhe konfliktet e armatosura dhe kishin për qëllim të arrinin në Evropë.

Agjencia për refugjatë e OKB-së i ka quajtur “të tmerrshme” qendrat ku po mbahen migrantët.

Mijëra migrantë po mbahen në kushte të këqija, në qendrat e ndalimit në mbarë Libinë, që drejtohen nga Qeveria në Tripoli.

Sulmet e fundit ajrore ndaj një qendre të ndalimit në Tripoli, sipas OKB-së, tregojnë sesa të rrezikshme janë këto ndërtesa. Sipas Kombeve të Bashkuara, këto qendra duhet të shkatërrohen menjëherë dhe personat që janë mbajtur në to, duhet të lirohen nëpër komunitetet përreth.

OKB-ja ka qenë kritike ndaj politikave evropiane që favorizojnë kthimin e migrantëve të shpëtuar në det për në Libi, duke thënë se dy shtet nuk ofron siguri për ta.

Rreth 120 migrantë ishin në qendrën e ndalimit, në momentin kur kjo e fundit u godit nga sulmet ajrore më 3 korrik.

Qeveria libiane, e mbështetur nga OKB-ja dhe që udhëhiqet nga kryeministri, Fayez al-Sarraj, ka akuzuar Ushtrinë e vetëshpallur të Kombit Libian, për këto sulme. Ky formacion ushtarak ka deklaruar se kanë sulmuar një kamp që kishte forca pro-qeveritare, e që ndodhej në afërsi të qendrës së migrantëve, duke thënë se qendra e migrantëve është goditur aksidentalisht.

OKB më vonë tha se sulmi ndaj qendrës për ndalimin e migrantëve mund të përbëjë krim lufte.

XS
SM
MD
LG