Ndërlidhjet

Pakistani arreston organizatorin e dyshuar të sulmeve në Mumbai


Sulmet në Mumbai, 2008.

Autoritetet në Pakistan arrestuan udhëheqësin radikal islamik, të akuzuar për organizimin e sulmeve të vitit 2008 në Mumbai, ku kanë mbetur të vrarë 166 njerëz.

Arrestimi i Hafiz Saeedit u bë një ditë para se kryeministri pakistanez, Imran Khan, të takojë zyrtarët amerikanë në Uashington.

Khan është zotuar se do t'i ndjekë dhe godasë grupet militante.

Shahbaz Gill, zëdhënës i guvernatorit të provincës Punxhab, tha se Saeed është arrestuar pranë qytetit pakistanez, Gujranvala.

Zyrtarët amerikanë dhe indianë e kanë akuzuar Saeedin për ndihmë në planifikimin e sulmeve në Mumbai.

Në nëntor të vitit 2008, dhjetë persona të armatosur kanë hyrë në qytetin më të madh të Indisë, duke qëlluar në dy hotele luksoze, një qendër hebraike dhe një stacion treni, gjatë rrethimit që ka zgjatur disa ditë.

India ka thënë se Pakistani ka ndihmuar në organizimin e sulmeve në bashkëpunim me Saeedin, i cili është udhëheqës i organizatës së bamirësisë Jamaat-ud-Dawa.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo organizatë është një fasadë për grupin militant Lashkar-e-Taiba, me seli në Pakistan.

Pakistani dhe Jamaat-ud-Dawa e kanë mohuar përfshirjen në sulmet në Mumbai.

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Saeedin terrorist dhe kanë ofruar dhjetë milionë dollarë për informacione që çojnë në arrestimin dhe dënimin e tij.

Shtetet e Bashkuara, për kohë të gjatë, e akuzojnë Pakistanin për strehimin e grupeve që luftojnë në Indi dhe Afganistan.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Pakistani ofron "strehë të sigurt" për talibanët dhe ka ndërprerë ndihmën financiare dhe ushtarake për Islamabadin.

XS
SM
MD
LG