Ndërlidhjet

SHBA-ja i kërkon Iranit të lirojë menjëherë cisternën e konfiskuar


Ilustrim
Ilustrim

Irani duhet menjëherë të lirojë cisternën e konfiskuar në Ngushticën e Hormuzit dhe ekuipazhin e saj, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.

"Irani duhet ta ndërpresë këtë aktivitet të paligjshëm dhe të lirojë menjëherë ekuipazhin dhe anijen e sekuestruar", deklaroi ai.

"Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqimisht sulmet e vazhdueshme nga ana e Gardës Revolucionare të Iranit dhe ndërhyrjen në kalimin e sigurt në ngushticën e Hormuzit", tha zyrtari amerikan.

Më herët Televizioni shtetëror iranian raportoi se Garda Revolucionare e ka konfiskuar një cisternë të huaj, më 14 korrik.

Brenda transportuesit ishin 12 anëtarë të ekuipazhit.

Sipas mediave iraniane, cisterna po transportonte lëndë djegëse nga kontrabandistët iranianë, tek klientët e huaj.

Një shërbim online për përcjelljen e transportuesve të naftës i quajtur “TankerTrackers”, tha se cisterna kaloi në ujërat iraniane më 14 korrik.

Shërbimi tha se cisterna ishte me flamur panamezë dhe në pronësi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Incidenti vjen në kohën e përshkallëzimit të raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Disa javë më parë, Irani rrëzoi një aeroplan pa pilot të SHBA-së, për të cilin tha se kishte hyrë në hapësirën ajrore të Iranit.

Mirëpo, Shtetet e Bashkuara kundërshtuan këto pretendime dhe thanë se fluturakja ishte në hapësirën mbi ujërat ndërkombëtar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte dhënë urdhërin për sulm ndaj Iranit, mirëpo e anuloi atë 10 minuta para së të ndodhte.

Më pas, presidenti Trump kishte thënë se sulmi do të shkaktonte viktima, dhe nuk do të ishte në proporcion me rrëzimin e dronit nga ana e Iranit.

XS
SM
MD
LG