Ndërlidhjet

Merkel: Komentet e Trumpit, në kundërshtim me madhështinë e Amerikës


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i dënoi sulmet verbale të presidentit amerikan, Donald Trump, kundër katër kongresisteve me ngjyrë, duke thënë se ato "janë në kundërshtim me atë që e bën Amerikën madhështore".

"Unë distancohem fuqishëm nga sulmet dhe shpreh solidaritet me gratë", tha Merkel në një konferencë për gazetarët në Berlin.

"Sipas mendimit tim, forca e Amerikës qëndron në atë se njerëzit me origjina të ndryshme kontribuojnë në madhështinë e vendit", shtoi Merkel.

Të dielën, Trump u tha katër kongresisteve amerikane - që të gjitha qytetare të SHBA-së - "të kthehen" në vendet e tyre të origjinës.

Edhe pse komentet e tij janë cilësuar si raciste dhe janë dënuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, Trump i ka përsëritur deklaratat e tij.

"Nëse nuk jeni të lumtura këtu, ju mund të largoheni", ka thënë Trump të martën.

Deklaratat e tilla kundër kongresisteve: Alexandria Ocasio-Cortez, Ilhan Omar, Ayanna Pressley dhe Rashida Tlaib kanë nxitur edhe reagim ndërkombëtar.

Kryeministrja në largim e Britanisë së Madhe, Theresa May, i ka cilësuar ato si "krejtësisht të papranueshme".

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se ajo "absolutisht nuk pajtohet" me Trumpin.

Trump ka shkruar në Twitter se "nuk ka kockë raciste" në trupin e tij.

Lexoni edhe këtë: Dështon përpjekja për ta nxjerrë Trumpin në votëbesim

XS
SM
MD
LG