Ndërlidhjet

Arabia Saudite dënon veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit


Foto Ilustrim
Foto Ilustrim

Ministri për Punë të Jashtme i Arabisë Saudite, Adel Aljubeir, dënoi konfiskimin nga ana e Iranit të një cisternë me flamur britanik, në Ngushticën e Hormuzit, dhe i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime për të penguar “sjelljen e papranueshme të Iranit".

"Çdo sulm ndaj lirisë së lundrimit është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare", tha Aljubeir në një postim në Twitter.

"Irani duhet të kuptojë se veprimet e tij të kapjes së anijeve, duke përfshirë së fundi atë britanike, janë plotësisht të papranueshme. Bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë masa për të penguar një sjellje të tillë", shtoi ai.

Autoritetet e Britanisë së Madhe thanë se Irani ka konfiskuar dy cisterna të naftës në Ngushticën e Hormuzit të premten, dhe kanë paralajmëruar Teheranin të lirojë anijet ose do të përballet me pasoja.

Garda Revolucionare e Iranit tha se ka parë anijen Stena Impero me flamur të Britanisë, dy javë pas konfiskimit nga Britania të cisternës iraniane në Gjilbraltar.

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit janë acaruar pas konfiskimit nga autoritetet britanike të cisternës Grace 1 që kontrollohej nga Irani më 4 korrik, nën dyshimet se po bënte bartjen e naftës në Siri, në kohën e sanksioneve nga shtetet evropiane.

XS
SM
MD
LG