Ndërlidhjet

Në Prishtinë vihet gurthemeli i bustit të senatorit Bob Dole


Ambasadori Kosnett flet gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit për bustin e senatorit Dole.
Ambasadori Kosnett flet gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit për bustin e senatorit Dole.

Në shenjë respekti për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në shënimin e ditëlindjes së senatorit amerikan, Bob Dole, në Prishtinë është vënë gurthemeli për ndërtimin e bustit të tij. Në këtë shënim, kanë marrë pjesë ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj dhe drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka.

Për këtë nismë, institucionet e Kosovës kanë marrë edhe pëlqimin e senatorit Dole, u tha gjatë fjalimeve.

“Ishte viti 1990, kur u realizua vizita e parë e delegacionit të senatorëve të lartë amerikanë në Kosovë, e cila ishte një kthesë për ne”, tha Haradinaj, duke rikujtuar edhe takimin e senatorit Dole me liderin e atëhershëm politik të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kurse ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett tha se ai dhe senatori Dole ndihen shumë të nderuar me iniciativën për ndërtimin e bustit për senatorin amerikan.

“Të gjithëve do të na bënte mirë të ndiqnim filozofinë e Bob Dole. Në politikë ka kundërshtarë- jo armiq”, tha ambasadori amerikan.

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole do të bëhet nga artisti i njohur Luan Mulliqi.

Projekti do të financohet nga Oda Amerikane në Prishtinë.

Ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeline Albright dhe tani Bob Dole, janë personalitetet të cilave u janë bërë apo bëhen shtatore, siç është rasti me Bob Dole, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG