Ndërlidhjet

Ambasada zvicerane kërkon respektim të kushtetutës në Kosovë


Flamuri i Kosovës, ilustrim.

Ambasada zvicerane në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve institucionalë që të veprojnë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet tjera, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kjo ambasadë ka thënë se është e bindur që “institucionet shtetërore do të vazhdojnë të funksionojnë dhe do t’i adresojnë nevojat e qytetarëve”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të premten nga pozita që ka pasi ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, të hënën ka reaguar edhe ambasada britanike dhe ajo gjermane.

Në një përgjigjje dhënë Radios Evropa e Lirë, ambasada britanike ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet politike në Kosovë dhe se për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakonshme duhet të vendosin institucionet e Kosovës.

Ndërkohë ambasada gjermane ka vlerësuar se është e rëndësishme që Kosova së shpejti të ketë qeveri funksionale” pasi sipas saj, “Kosova vazhdon të ketë përballë sfida të rëndësishme politike, në veçanti dialogun politik me Serbinë dhe reformat e brendshme politike”.

Gjatë ditës së hënë Haradinaj përmes një letre i ka njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e tij.

Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Intervista e kryeministrit Haradinaj për REL-in:

Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen brenda dy muajve

XS
SM
MD
LG