Ndërlidhjet

Haradinaj udhëton sot drejt Hagës


Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj është nisur sot për në Hagë, ku të mërkurën pritet të paraqitet për intervistim para Prokurorisë së Specializuar për Kosovën (e njohur edhe si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë).

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se në Hagë do t’i përgjigjet ftesës për intervistim si qytetar i Kosovës.

Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik, për shkak të ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Po në të njëjtën ditë, në Hagë do të intervistohet edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili sot ka udhëtuar drejt Holandës.

Nga Gjykata Speciale, ditëve të fundit janë ftuar edhe figura të tjera të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale, e cila është formuar sipas ligjeve të Kosovës, ka selinë në Hagë. Kjo gjykatë ka kompetencë mbi veprat penale të kryera në Kosovë nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor, 2000.

Ky institucion është përgjegjës për hetimin e krimeve të kryera kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera që lidhen me pretendimet e raportit të senatorit zviceran Dick Marty, që është miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG