Ndërlidhjet

Tensione ndërmjet Rusisë dhe Koresë së Jugut


Rusia ka thënë se një ndërhyrje e aeroplanëve ushtarakë në hapësirën ajrore territoriale të Koresë së Jugut, nuk ishte e qëllimshme, njoftoi zyra presidenciale e Seulit.

Një zyrtar ushtarak rus shprehu keqardhje të thellë në Ministrinë e Mbrojtjes të Koresë së Jugut duke thënë se fajtor ishte një gabim teknik, njoftuan autoritetet e Koresë së Jugut.

Të martën, Seuli tha se një avion luftarak rus kishte shkelur dy herë hapësirën ajrore të Koresë së Jugut.

Ministria ruse e Mbrojtjes më herët e kishte mohuar këtë.

Zyrtarët koreano-jugorë, thanë se Rusia ishte arsyetuar duke thënë se shkelja ishte e paqëllimtë dhe se menjëherë do të fillonte një hetim mbi rastin.

Sipas tyre, Moska ka thënë se nëse aeroplani do të fluturonte sipas një rruge të planifikuar fillimisht, ky incident nuk do të kishte ndodhur.

Por, ambasada e Rusisë në Seul mohoi të mërkurën se Moska kishte kërkuar falje nga Koreja e Jugut për një shkelje të dyshuar të hapësirës ajrore gjatë një patrulle ajrore të përbashkët me Kinën një ditë më parë, raportoi agjensia e lajmeve Interfax.

Gjithashtu të mërkurën, Ministria e Mbrojtjes e Kinës mohoi se ndonjë prej avionëve kishte hyrë në hapësirën ajrore territoriale të ndonjë vendi të huaj.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë kishte thënë se aeroplani i saj po merrte pjesë në një patrullë ajrore të përbashkët të me Kinën mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore, si pjesë e një patrullimi të parë ajror midis dy vendeve.

Si ndodhi incidenti?

Të martën, aeroplanët e Koresë Jugore kanë nisur dy të shtëna paralajmëruese drejt një aeroplani ushtarak të Rusisë, pasi ka hyrë në zonën ajrore jug-koreane, është cituar të ketë thënë ministria për Mbrojtje Kombëtare e këtij shteti sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Përveç kësaj, është thënë edhe se një aeroplan ushtarak kinez ka hyrë në zonën ajrore të Koresë Jugore.

Duke cituar zyrtarë nga shefat e shtabit të përbashkët, agjencia e lajmeve, Yonhap, ka thënë se hyrja e aeroplanëve luftarakë në zonën ajrore jugkoreane përbën shkelje.

Aeroplanët më pas është thënë të jenë larguar së bashku.

Një zyrtar i ministrisë jugkoreane, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se kjo është hera e parë që një aeroplan ushtarak rus shkel zonën ajrore jugkoreane.

Ndërkohë qeveria jugkoreane tha se menjëherë ka nisur ankesa zyrtare te të dyja shtetet.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG