Ndërlidhjet

Rritet presioni ndaj kandidatëve opozitarë para zgjedhjeve në Moskë


Një gjykatë në Rusi ka dënuar politikanin, Aleksei Navalny me 30 ditë burgim në kuadër të masave shtypëse për liderët opozitarë, para se të mbahet një protestë e paautorizuar këtë fundjavë.

Dënimi i Navalnyt vjen në kohën e bastistjeve që po kryen policia në shtëpitë e kandidatëve opozitarë për ulëse të Këshillit të qytetit të Moskës, Dmitry Gudkov, Ivan Zhdanov and Aleksandr Solovyov.

“Rreth 10 zyrtarë policorë kanë kërkuar në shtëpinë tonë. Unë jam në Bullgari me djalin tim dhe ata nuk janë duke lejuar Dmitry Gudkov-in që të më kontaktojë. Policia është duke kërkuar material për aksionin e 27 korrikut”, ka shkruar gruaja e Gudov-it, Valeriya në rrjetin social, Tëitter.

Yulia Galyamina dhe Sobol Lyubov, dy kandidatë tjerë që po kërkojnë ulëse në këshill, kanë thënë se Komiteti Hetues i Rusisë ka kërkuar që t’i intervistojë.

Liderët opozitarë kanë bërë thirrje për organizimin e një marshi më 27 korrik, për të protestuar vendimin e Komitetit Zgjedhor të Moskës, i cili ka kundërshtuar që të regjistrojë kandidatët e pavarur në zgjedhjet për Këshillin e qytetit të Moskës që mbahen në muajin shtator.

Ky marsh nuk ka marrë autorizimin e qeverisë.

Gennady Gudkov ka thënë se autoritetet frikësohen nga protesta e njerëzve.

Në Rusia janë shtuar shenjat për rritje të lëvizjeve protestuese, dhe duket se standardet e jetesës dhe të drejtat civile kanë ndikuar në këtë situatë.

Më 20 korrik, rreth 20,000 persona janë mbledhur në Moskë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta.

Navalny ka konsideruar se kjo ka qenë dalja më e madhe nga viti 2012 kur rusët kanë dalë nëpër rrugët e Moskës, pasi kanë vlerësuar se zgjedhjet parlamentare kanë qenë të manipuluara atëbotë.

Një tjetër protestë në Shën Petersburg më 24 korrik, ka mbledhur 3,000 persona, të cilët kanë kërkuar zgjedhje të lira dhe të drejta.

Zyrtarët zgjedhorë në Moskë kanë refuzuar që të regjistrojnë kandidatë të pavarur për zgjedhet e shtatorit, duke thënë se shumica e nënshkrimeve kanë qenë të falsifikuara.Kandidatëve iu duhen nënshkrimet e 3 për qind të elektoratit në distriktet e tyre respektive në Moskë, të cilat mund të dallojnë nga 4,500 deri më 6,000 vota.

Kandidatët e pavarur kanë akuzuar komitetin për mashtrim, duke pretenduar se zyrtarët janë duke tentuar të gjejnë arsye për të parandaluar garën e tyre kundër politikanëve pro-qeveritarë.

Këshilli i Moskës me 45 ulëse, miraton ligje dhe menaxhon buxhetin e qytetit prej 43 miliardë dollarësh, njëherësh më të madhin në Rusi.

Rezultati i betejës në mes të Komisionit Zgjedhor të Moskës dhe kandidatëve të pavarur mund të krijojë shembull për gjithë Rusinë, ka thënë Maria Snegovaya, studiuese në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, që fokusohet në politikën e brendshme ruse.

“Të gjithë sytë janë në Moskë aktualisht”, ka thënë Sgeovaya për Radion Evropa e Lirë.

“Nëse kandidatët e pavarur lejohen që të kandidojnë, kjo do të shërbëjë si inspirim për opozitën në gjithë shtetin dhe mund të mobilizojë ata në prag të zgjedhjeve rajonale”.

Navalny, që nuk është duke garuar për Duma-n e Moskës, u ka thënë protestuesve më 20 korrik se ai do të drejtojë një tjetër protestë në fundjavën e ardhshme nëse qyteti nuk regjistron kandidatët e pavarur.

Në një video të incizuar në stacionin policor të Moskës dhe të postuar në rrjetin social, Instagram, më 24 korrik, Navalny ka thënë se ka vërejtur një veturë policore afër shtëpisë së tij, sapo ka dalë për të vrapuar.

“Ata kanë të drejtë kur thonë se ndonjëherë sporti nuk është i mirë për njeriun. Unë dola nga shtëpia për të vrapuar dhe për të blerë lule për gruan time sepse sot është ditëlindja e saj”, ka thënë Navalny.

Gjykata më pas i ka shqiptuar kritikut të Kremlinit, dënimin maksimal prej 30 ditëve.

Ky është dënimi i tij i dytë gjatë këtij muaji. Ai është liruar nga burgu më 11 korrik, pasi ka qëndruar në burg për 10 ditë, me arsyetimin se ka marrë pjesë në një protestë të paautorizuar në Moskë.

Deri më tani ai është arrestuar dhjetëra herë, dhe ka qëndruar në burg për më shumë se 200 ditë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG