Ndërlidhjet

Brexiti pa marrëveshje mund të kërcënojë prodhimin e makinave në Britani


Pamje nga Londra, foto nga arkivi.

Organizata përgjegjëse për industrinë e makinave në Britani ka paralajmëruar kryeministrin britanik, Boris Johnson se largimi i këtij shteti nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje përbën rrezik për prodhimin e makinave.

Johnson, që ka nisur mandatin më herët gjatë ditës, është duke përshpejtuar përgatitjet për një Brexit potencialisht pa marrëveshje, ndonëse shpreson që të hartohet një dokument më i mirë me bllokun evropian.

Në një letër drejtuar kryeministrit britanik, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve, Mike Hawes, ka thënë se “Britania është shumë e integruar me BE-në dhe një Brexit pa marrëveshje do të rezultonte me shpenzime të mëdha në tarifa dhe probleme tjera që do të mund të kërcënonin prodhimin apo besimin e investitorëve të huaj në Britani”.

Një nga çështjet kyçe të qeverisë së re britanike konsiderohet finalizimi i procesit të Brexit-it, meqë Britania pritet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti.

Kryeministri i ri britanik ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Megjithatë, në fjalimin e parë si kryeministër, Johnson thënë se dëshiron të hartojë një marrëveshje të re me BE-në, lidhur me Brexitin.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

XS
SM
MD
LG