Ndërlidhjet

LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kritikojnë mbledhjen e Qeverisë


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Deputetët e partive opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar pas lajmit për mbajtje të mbledhjes së Qeverisë, ndonëse Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit një javë më parë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e ka konsideruar vendimin për mbajtje të mbledhjes si “mungesë të kompetencës të kryeministrit në dorëheqje”.

“Mbledhja e sotme e Qeverisë në dorëheqje reflekton edhe një herë mungesën e kompetencës të Kryeministrit në dorëheqje dhe mega qeverisë së tij, me 5 zëvendëskryeminsitra, mbi 20 ministra, 80 zëvendësminitra e qindra këshilltarë”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albuelena Haxhiu, ka thënë po ashtu në Facebook, se Haradinaj duhet të largohet nga kryeministria.

“Haradinaj si duket nuk po e kupton që më nuk është kryeministër dhe duhet të largohet nga kryeministria, ai por edhe ish ministrat e tij”, ka thënë ajo.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Ai ka njoftuar të premten se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë në dorëheqje.

XS
SM
MD
LG