Ndërlidhjet

Katër gra të kthyera nga Siria lirohen nga masa e arrestit shtëpiak


Disa nga gratë e kthyera nga Siria në Kosovë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se katër grave të riatdhesuara nga Siria nuk iu është vazhduar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa 24 gra të tjera do të kenë masën e njëjtë të arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.

Për katër gra të tjera, nga gjithsej 32 sa u riatdhesuan në muajin prill, Gjykata Themelore e Prishtinës mori vendim për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me paraqitje në stacion policor.

Vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim dhe 24 të pandehurave ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për nga 2 muaj për secilën veç e veç, për 4 të pandehura është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, ndërsa për katër të pandehura nuk ka pasur kërkesë për masë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Në muajin prill të këtij viti, institucionet e Kosovës riatdhesuan 110 kosovarë, të cilët ishin duke qëndruar në kampe në Siri.

Në mesin e të riatdhesuarve janë katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ende janë duke i hetuar të kthyerit dhe se deri me tani nuk është ngritur ndonjë aktakuzë.

Gratë e kthyera nga Siria hetohen për pjesëmarrje apo organizim në grup terrorist.

XS
SM
MD
LG