Ndërlidhjet

Bellingcat thotë se ka qenë cak i sulmeve kibernetike


Themeluesi i Bellingcat, Eliot Higgins.
Themeluesi i Bellingcat, Eliot Higgins.

Organizata hulumtuese Bellingcat thotë se pjesëtarë të stafit kanë qenë cak i sulmeve të sofistikuara kibernetike, përmes llogarive të tyre në ProtonMail.

Ky njoftim nga Bellingcat vjen disa orë pasi ProtonMail tha se ka prova që tregojnë se Moska është përgjegjëse për sulmet kibernetike.

“Sërish, Bellingcat është cak i sulmeve kibernetike, që me shumë gjasa lidhen me punën tonë në Rusi”, tha Eliot Higgins, themeluesi i Bellingcat.

“Besoj se një mënyrë për të matur ndikimin tonë është se sa shpesh agjentët e Federatës Ruse tentojnë të na sulmojnë, qoftë përmes hakerëve të tyre apo mediave”, tha ai.

Zyrtarët e Bellingcat thonë se sulmi kibernetik dështoi që të penetrojë në sistemet e tyre.

ProtonMail tha se sulmuesit kishin tentuar që të mashtronin përdoruesit që t’i japin fjalëkalimet e llogarive të tyre në ProtonMail dhe sulmi kishte për cak gazetarët e ueb-faqes hulumtuese, që kishin ndihmuar në identifikimin e agjentëve, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal.

PotonMail, që është me seli në Gjenevë tha se ka “prova që sugjerojnë se sulmi ka origjinën në Rusi”.

Kompania ProtonMail e përshkruan veten si ofruesin më të sigurt të postës elektronike për shkak të sistemit të saj të enkriptuar dhe përdoret nga gazetarët dhe të tjerët që punojnë me informacione të ndjeshme.

XS
SM
MD
LG