Ndërlidhjet

I dërguari i SHBA-së në Afganistan realizon "vizitën më produktive" në Kabul


I dërguari i SHBA-së për arritje të paqes në Afganistan, Zalmay Khalilzad.
I dërguari i SHBA-së për arritje të paqes në Afganistan, Zalmay Khalilzad.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për paqe në Afganistan, Zalmay Khalilzad, ka thënë të ketë realizuar “vizitën e tij më produktive” në Kabul prej kur është emëruar në këtë pozitë një vit më parë, për të negociuar ndonjë zgjidhje politike me talibanët, çka do t’i jepte fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Khalilzad, 68-vjeçar ka thënë më 31 korrik se do të niset drejt Pakistanit dhe më pas Katarit, për të zhvilluar rrethin e nëntë të bisedimeve me talibanët.

“Shtetet e Bashkuara dhe Afganistani janë pajtuar për hapat e ardhshëm. Një ekip negociator dhe ekipi mbështetës janë në proces të finalizimit”, ka thënë Khalilzad në një postim në Twitter, pasi ka përfunduar vizitën e tij.

“Po nisem për në Doha, por do të ndalem në Islamabad. Në Doha, nëse talibanët kryejnë punën e tyre, ne do ta bëjmë tonën dhe do arrijmë marrëveshjen për të cilën kemi punuar, ka shtuar ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se disa anëtarë të ekipit negociator të grupit militant do të udhëtojnë në Xhakarta të Indonezisë dhe se bisedimet me negociatorët amerikanë do të rinisin , pasi ata të kthehen në kryeqytetin e Katarit.

Si Uashingtoni ashtu edhe talibanët kanë thënë së fundmi se kanë përparuar në procesin e arritjes së marrëveshjes për paqe, e cila do të përfshijë një periudhë kohorë të largimit të trupave të huaja nga Afganistani si dhe garantimin nga ana e talibanëve se militantët nuk do të organizojnë sulme në tokën afgane.

Secila marrëveshje do të kërkojë edhe bisedime direkte në mes të talibanëve dhe përfaqësuesve të Qeverisë afgane.

Deri më tani, talibanët kanë refuzuar që të flasin me zyrtarët shtetërorë, duke e konsideruar qeverinë si jolegjitime dhe kukull të perëndimit.

Më 29 korrik, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump synon të zvogëlojë numrin e trupave amerikane në Afganistan para zgjedhjeve presidenciale amerikane, që do të mbahen në nëntor të vitit 2020.

XS
SM
MD
LG