Ndërlidhjet

Shpërthimi i Ebolës: Ruanda rihap kufirin me Kongon


Një punonjëse shëndetësore kontrollon temperaturën e një gruaje në Goma të Kongos.

Ruanda e rihapi kufirin me Republikën Demokratike të Kongos, ku shpërthimi i Ebolës ka marrë mbi 1,800 jetë njerëzish gjatë vitit të kaluar.

Kufiri u mbyll për disa orë, pas konfirmimit të rastit të tretë me virusin Ebola në qytetin kufitar të Kongos, Goma.

Në Goma tashmë kanë vdekur dy njerëz nga Ebola.

Është ky shpërthimi më i keq i Ebolës në historinë e Kongos, ku së paku 2,700 njerëz janë infektuar me të.

Trajtimi i sëmundjes është komplikuar nga konflikti në rajon.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 12 raste të reja me Ebola raportohen çdo ditë në Republikën Demokratike të Kongos.

Javën e kaluar, OBSH-ja e shpalli shpërthimin e Ebolës emergjencë globale shëndetësore, por paralajmëroi kundër përpjekjeve për të ndaluar virusin duke mbyllur kufijtë ose duke kufizuar udhëtimin apo tregtinë.

Presidenca e Kongos e kritikoi më herët vendimin e Ruandës për mbylljen e kufirit, duke thënë se ai bie ndesh me këshillat e OBSH-së.

Ministrja e Shëndetësisë e Ruandës, Diane Gashumba, tha se qeveria e këtij vendi e ka intensifikuar monitorimin ndërkufitar, duke i këshilluar qytetarët që t'i shmangin udhëtimet e panevojshme në Goma të Kongos.

Ebola është një virus që fillimisht shkakton ethe, dobësi, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të fytit.

Pacientët e prekur mund të vdesin nga dehidrimi dhe dështimi i disa organeve.

XS
SM
MD
LG