Ndërlidhjet

Zyrtarët për imigrim lirojnë 300 persona pas bastisjes në Misisipi


Migrantë para ndalesave të kufirit mes SHBA-së dhe Meksikës, foto nga arkivi.

Zyrtarët amerikanë për imigrim kanë thënë se kanë liruar 300 persona, të cilët janë arrestuar në një bastisje masive në Misisipi ditën e enjte.

Rreth 700 punëtorë të disa fabrikave përpunuese janë arrestuar nën dyshimet se nuk kanë dokumentacion të duhur për të qenë në Shtetet e Bashkuara.

Këto bastisje kanë nxitur kritika të ashpra nga demokratët, pasi mediat kanë raportuar se fëmijët janë ndarë nga prindërit e tyre.

Zyrtarët në anën tjetër kanë thënë se kanë marrë masa për t’u siguruar se secili fëmijë është nën përkudesje.

Zyra për Imigracion dhe Dogana ka thënë se rreth 680 personat e ndaluar gjatë operacionit janë marrë në pytje.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati deklaruar në muajin qershor se do të nisë fushatë kundër migrimeve ilegale, për t’i larguar nga SHBA-ja personat pa dokumente.

Zëdhënësi i kësaj Zyre, Bryan Cox, ka thënë për BBC-në, se personat që nuk janë liruar do të dërgohen në një zonë ndalimi dhe do të mbahen atje.

Cox po ashtu ka thënë se personat e arrestuar janë pyetur nëse kanë ndonjë familjar, i cili ka nevojë për përkujdesje apo nëse kanë fëmijë në shkollë.

Zyra për Imigracion nuk ka treguar kombësinë e personave të ndaluar, mirëpo Qeveria e Meksikës ka raportuar se kanë dërguar staf në këtë zonë për t’iu ndihmuar meksikanëve që mund të jenë përfshirë në bastisje.

XS
SM
MD
LG