Ndërlidhjet

Senatori amerikan: Bota po shikon protestat në Hong Kong


Senatori Mitch McConnell.
Senatori Mitch McConnell.

Lideri i Senatit amerikan, republikani, Mitch McConnell, ka paralajmëruar Kinën, se çfarëdo veprimi i dhunshëm ndaj protestuesve në Hong Kong do të konsiderohet “absolutisht i papranueshëm”.

“Njerëzit e Hong Kongut janë ngritur me guxim ndaj Partisë Komuniste Kineze, teksa Pekini synon t’ua shkelë autonominë dhe lirinë”, ka thënë ky senator përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Secili veprim i dhunshëm është i papranueshëm. Bota është duke shikuar”, është shprehur ai.

Protestat në rritje e sipër në Hong Kong, janë kthyer ndër organizimet më serioze në dekada, të cilat për liderin kinez, Xi Jinping përbëjnë një nga sfidat më mëdha prej kur ka ardhur në pushtet më 2012.

Disa ekspertë ligjorë të Hong Kongut besojnë se përshkrimi i disa veprimeve të protestuesve si terrorizëm, mund t’iu japë autoriteteve fuqi shtesë kundër tyre.

Aeroporti i Hong Kongut ka anuluar të hënën të gjitha fluturimet, duke fajësuar protestuesit për pengesat e krijuara.

Kina ka thënë se protesat anti-qeveritare që kanë përfshirë qytetin për dy muaj kanë nisur të shfaqin “shenja të terrorizmit”.

Rikthehet dhuna në Hong Kong
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Presidenti amerikan, Donald Trump, që është në kërkim të një marrëveshjeje më të madhe për të përmirësuar lidhjet me Kinën, është kritikuar në Shtetet e Bashkuara kur ka përshkruar protestat në Hong Kong si “rebelim” dhe se kjo është çështje vetëm e Kinës dhe Hong Kongut, përderisa territori i përket Kinës.

Protestat në Hong Kong, që po mbahen për disa javë, kanë nisur në shenjë zemërimi rreth një projektligji për ekstradim dhe më pas janë zgjeruar në kërkim të lirive më të mëdha.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës mirëpo ka më shumë autonomi, meqë funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.

XS
SM
MD
LG