Ndërlidhjet

Ambasadori britanik hedh poshtë deklaratat e Ministrisë së Integrimit Evropian


Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O'Connell.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O'Connell, ka thënë të mos ketë bërë deklaratat që janë publikuar në media, pasi ka takuar ministren në detyrë të Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se gjatë takimit nuk ka komentuar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo të drejtat të njeriut, siç është pretenduar.

“Ne kemi diskutuar për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë kam thënë se Kosova është në një pikë kyçe dhe duhet të veprojë për të pastruar politikën nga krimi. Nuk kam vlerësuar punën e institucioneve”, ka thënë ndër të tjera ai.

Sipas ambasadorit britanik, një gjë e tillë ka ndodhur disa herë, andaj teksa është në përfundim të mandatit, kjo është një prej gjërave që nuk do t’i mungojnë nga Kosova.

Në postimin e tij, ai ka përsëritur se Mbretëria e Bashkuar nuk përkrah asnjë parti politike në Kosovë dhe se iu takon qytetarëve të Kosovës që të marrin përgjegjësi dhe të vuajnë pasojat për votën e tyre.

Për dallim nga ambasadori britanik, në faqen zyrtare të ministrisë së Integrimit Evropian, është thënë se gjatë takimit “ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë”.

XS
SM
MD
LG