Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut dhe Serbia me menaxhim të integruar të kufirit


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Lëvizja e qytetarëve dhe e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Serbi dhe anasjelltas nga e hëna po zhvillohet vetëm përmes një pikë kufitare.

Kryeministrat e dy shteteve, Zoran Zaev dhe Ana Bërnabiq, përuruan zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit në vendkalimin Tabanoc-Preshevë.

Ky akt nga dy krerët e qeverisë u vlerësua si shumë i rëndësishëm, jo vetëm për bashkëpunimin ekonomik, por edhe për bashkëpunimin dhe zhvillimin e rajonit në përgjithësi.

“Kontrolli i përbashkët kufitar është kurorëzim i fqinjësisë së mirë mes dy shteteve. Me konceptin e ri do të përshpejtohet lëvizja e qytetarëve, e mallrave dhe e mjeteve transportuese, do të rritet numri i turistëve në të dyja shtetet, si dhe numri i turistëve tranzit. Kontrollet do të bëhen në një vend. Do të ketë njohje të ndërsjella të certifikatave ndërkombëtare dhe me këtë do të ketë edhe më pak mashtrime doganore. Do të rritet niveli i besimit, do të rritet tregtia, do të ulet korrupsioni”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministrja serbe tha se menaxhimi i integruar i kufirit është sinjal për nxitjen e tregtisë rajonale dhe për kalimin më të shpejtë të mallrave.

Por, ajo kritikoi, me këtë rast, vendimin e Kosovës për aplikimin e taksave për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, duke theksuar se Serbia do të kërkojë zgjidhje alternative në arritjen e marrëveshjeve me shtetet tjera.

“Ky është një fillim i ri për bashkëpunimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor. Për këtë na nevojitet vizion dhe guxim politik dhe jo politika shkurtpamëse. Bashkëpunimi rajonal gjendet para sfidave të mëdha për shkak të suspendimit praktik të marrëveshjes (për tregti të lirë në Evropën Qendrore) CEFTA nga ana e Prishtinës".

"Ky vendim nuk ishte vendim vetëm kundër tregtisë me Serbinë qendrore dhe Bosnje e Hercegovinën në nëntor, 2018. Ky vendim i ka lëkundur të gjitha marrëveshjet rajonale. Për shkak të kësaj, nevojitet guxim dhe përgjegjësi politike dhe, në vend të politikave populiste, të fokusohemi në atë që është interes i rajonit, bashkëpunimit rajonal, siç është edhe akti i sotëm. Është politikisht më e mençur të lidhemi sesa të bllokohemi”, tha kryeministrja serbe, Bërnabiq.

Përmes vendkalimit kufitar Tabanoc-Preshevë, vitin e kaluar, kanë kaluar rreth 200 mijë kamionë, çfarë do të thotë një e katërta e gjithë kalimeve të automjeteve.

Kryeministri Zoran Zaev tha se pret që këtë vit ky numër të rritet për 30 për qind apo në rreth 260 mijë automjete të rënda.

XS
SM
MD
LG