Ndërlidhjet

Bolton: Trump i gatshëm për bisedime, por nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Iranit


Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, tha se gatishmëria e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të biseduar me presidentin iranian, Hassan Rohani, për programin bërthamor të Teheranit, nuk nënkupton që udhëheqësi amerikan është gati të ndryshojë qëndrimin e tij të ashpër ndaj Iranit.

Në një intervistë të gjerë dhënë Radios Evropa e Lirë, më 27 gusht në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, Bolton tha se Trump e ka bërë të qartë se "ai do të takohet me këdo për të biseduar”.

"Presidenti Trump marrëveshjen bërthamore me Iranin e quajti marrëveshja më e keqe në historinë diplomatike të SHBA-së, ky është një këndvështrim që unë mendoj se është plotësisht i justifikueshëm përmes fakteve. Ai nuk do të bëjë të njëjtat gabime që bëri Barack Obama [ish-Presidenti i SHBA]”, ka thënë Bolton.

Trump në maj të vitit 2018 tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore që Teherani e nënshkroi me gjashtë fuqitë botërore, gjatë administratës së Obamës, dhe filloi të rivendosë sanksione që ishin lehtësuar në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Iranit.

Në atë kohë, Trump tha se kushtet e marrëveshjes nuk ishin aq të rrepta për të parandaluar Iranin të zhvillonte armë bërthamore dhe se Teherani po shkel "frymën" e marrëveshjes duke financuar terrorin ekstremist në rajon.

Akuzat janë hedhur poshtë nga Teherani. Pesë nënshkrues të tjerë, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, mbeten të përkushtuara në marrëveshje, megjithëse Irani ka filluar të zvogëlojë disa prej angazhimeve të tij në bazë të marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG