Ndërlidhjet

Uragani Dorian pritet të godasë ishujt Bahamas


Ilustrim.

Uragani Dorian ka arritur në kategorinë e pestë të stuhive dhe është duke iu afruar ishujve Bahamas.

Stuhia “jashtëzakonisht e rrezikshme” pritet të godasë një zinxhir ishujsh në veriperëndim të Bahamasit më vonë gjatë ditës, tha Qendra Kombëtare për Uragane e Shteteve të Bashkuara. Më pas, uragani pritet të niset drejt brigjeve lindore të SHBA-së.

Banorët në Grand Bahama veçse janë evakuuar, pasi uragani Dorian pritet ta godasë këtë pjesë.

Uragani Dorian ka reshje shiu të dendur, erëra të fuqishme që mund të arrijnë deri në 260 kilometra në orë dhe mund të shkaktojë dallgë deri në 4,6 të larta, kanë paralajmëruar zyrtarët.

Autoritetet në Bahmas kanë mbyllur disa aeroporte, por aeroporti kryesor vazhdon të qëndrojë i hapur.

Qendra Kombëtare për Uragane e SHBA-së tha se “stuhia me erëra të fuqishme dhe shirat që mund të shkaktojnë vërshime vdekjeprurëse” pritet t’i godasë ishujt Abaco dhe Grand Bahama të dielën.

Uragani Dorian pritet që ta godasë Bahamsin për dy ditë, përpara se të niset drejt bregdetit amerikan dhe pritet që të mos e godasë drejtpërsëdrejti Floridën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë përmes një postimi në Twitter se po e monitoron uraganin Dorian, të cilin e ka përshkruar si “stuhi jashtëzakonisht të rrezikshme”. Për shkak të uraganit Dorian, Trump ka anuluar një vizitë në Poloni, ku po mbahen ceremoni për shënimin e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Stuhitë – fuqia e së cilave matet nga kategoria një deri në pesë – mëtojnë të forcohen teksa kalojnë mbi ujëra të nxehta, siç gjenden në brigjet e Floridës.

Uraganet që gjenden në kategorinë e pestë, kanë erëra të fuqishme që arrijnë deri në 260 kilometra në orë.

Meteorologët parashikojnë që uragani Dorian, në mesin e javës së ardhshme të drejtohet nga bregdeti lindor i SHBA-së, duke vënë në rrezik brigjet e Xhorxhias dhe Karolinës Jugore.

XS
SM
MD
LG