Ndërlidhjet

NATO-ja mbështet përpjekjet amerikane për paqen në Afganistan


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Bruksel, 2018 (Foto arkiv)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një takimi me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Bruksel, 2018 (Foto arkiv)

NATO-ja mbështet plotësisht përpjekjet e SHBA-së, për të arritur një marrëveshje paqeje me talibanët, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

"Diskutim i shkëlqyeshëm me sekretarin Pompeo, mbi çështjet aktuale të sigurisë. NATO-ja mbështet plotësisht përpjekjet për të arritur paqen në Afganistan. Unë dënoj sulmet e fundit të tmerrshme dhe NATO-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur forcat afgane", tha Stoltenberg në një postim në rrjetin social, Twitter.

Takimi mes tyre u bë në kohën kur Shtetet e Bashkuara synojnë që përmes një marrëveshjeje me talibanët, t’i japin fund luftës 18 vjeçare në Afganistan.

Një marrëveshje e mundshme, do t’i hapte rrugë bisedimeve të drejtpërdrejta midis qeverisë në Kabul dhe talibanëve.

Megjithë përparimin në bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve, aktet e dhunës kanë vazhduar në Afganistan.

Talibanët morën përgjegjësinë për vrasjen e të paktën 16 civilëve më 2 shtator, edhe pse paraprakisht ranë dakord “në parim” për një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Afganistan, Zalmay Khalilzad, i tha Radios Evropa e Lirë, më 2 shtator, se talibanët janë pajtuar "në parim" që çdo territor afgan që kontrollohet prej tyre, në të ardhmen nuk do të përdoret si një vend për terroristët, që të ndërmarin sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Ai gjithashtu tha se negociatorët e SHBA-së dhe talibanët kishin rënë dakord për "zvogëlimin dhe tërheqjen graduale" të forcave perëndimore nga Afganistani.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Uashingtoni do të zvogëlojë praninë e trupave të tij në Afganistan, nëse arrihet marrëveshja.

NATO-ja përfundoi misionin e saj luftarak në Afganistan në vitin 2014, duke ia dorëzuar përgjegjësinë në fushën e sigurisë afganëve, por ende mban rreth 17.000 trupa në terren për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane të sigurisë.

Pompeo në kuadër të vizitës në Bruksel do të takojë edhe udhëheqës tjerë të BE-së, përfshirë shefin e ri të politikës së Jashtme , Josep Borrell.

XS
SM
MD
LG