Ndërlidhjet

Procesi i Brexit-it përballë betejave të reja


Kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Kryeministrin britanik, Boris Johnson, po e përcjellë fati i paraardhëses së tij, Theresa May.

Parlamenti britanik nuk po lejon që për procesin e Brexit-it të vendos qeveria, dhe po kundërshton çdo iniciativë që do të lejonte kryeministrat të veprojnë sipas planeve të tyre.

Njëjtë kishte vepruar edhe me ish-kryeministren, Theresa May, të cilës ia kundërshtonte çdo nismë qeveritare për Brexit-in.

I tillë ishte edhe votimi i së martës, kur ligjvënësit me shumicë miratuan marrjen nën kontroll të rendit të ditës, masë kjo që do t’i lejojë ata të sjellin një projektligj për të kërkuar shtyrjen e Brexit-it.

Brexiti duhet të ndodhë më 31 tetor, dhe kryeministri Johnson, që nga marrja e detyrës, ka premtuar se nuk do të lëvizë nga ky afat.

Ai iu tha ligjvënësve se do të thërras zgjedhje të përgjithshme në rast se detyrohet të kërkojë një zgjatje të afatit për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Johnson e paraqiti në Parlament një mocion për zgjedhje të parakohshme mirëpo pa e specifikuar datën e mbajtjes së tyre.

Sipas një projektligji të përgatitur nga opozita dhe deputetët e pakënaqur të Partisë Konservatore në pushtet, kryeministri do të duhej të kërkonte shtyrjen e Brexit-it deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.

Opozita ka thënë se para se të votojnë për zgjedhje të parakohshme duhet të miratohet një projektligji që përjashton një Brexit pa marrëveshje.

Por, Johnson tha se projektligji do të sillte "më shumë zhurmë, më shumë vonesë dhe konfuzion".

Ai theksoi se nuk kishte zgjidhje tjetër, përveç se të vazhdonte me përpjekjet për të thirrur zgjedhjet e parakohshme, duke shtuar se "populli i këtij vendi do të duhet të zgjedhë".

Më herët, kryeministri Johnson e humbi shumicën në Parlament pasi deputeti konservator, Philip Lee, zuri vendin e tij në ulëset e opozitës.

"Qeveria konservatore po e vazhdon në mënyrë agresive procesin e Brexit-it me pasoja të dëmshme. Ai po rrezikon kërcënon padrejtësisht integritetin e Britanisë së Madhe", tha Lee pasi u bashkua me radhët e opozitës në parlament.

Marrëveshja e negociuar nga BE-ja dhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May është rrëzuar nga parlamenti britanik tri herë radhazi.

Ajo më pas dha dorëheqje nga pozita duke u pasuar nga Boris Johnson.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG