Ndërlidhjet

Irani liron shtatë persona të ekipit të anijes së kapur britanike


Ilustrim.

Irani ka thënë se do të lirojë shtatë anëtarë që kishte ndaluar pasi kishte kapur një transportuese britanike, gati dy muaj më parë.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Abbas Musavi ka thënë më 4 shtator në një intervistë për televizionin shtetëror iranian se shtatë persona me kombësi ruse dhe indiane do të lirohen dhe mund të largohen nga shteti shumë shpejt.

Ai ka shtuar se të shtatë personat janë zgjedhur nga kapiteni i anijes.

Të 16 pjesëtarët tjerë kanë thënë se do të jenë në anije, kur ajo të largohet nga ujërat e Iranit.

“Ne jemi shumë të lumtur se shtatë anëtarët e ekipit do të lirohen shpejt dhe mund të kthehen në familjet e tyre, ndonëse ne ende po presim konfirmimin e datës së lirimit të tyre”, ka thënë, Eris Hanell, presidenti i kompanisë Stena Bulk, që ka në pronësi anijen.

Tensionet në mes të Londrës dhe Teheranit janë rritur prej kur marina britanike ka kapur një tanke iraniane, e cila dyshohej se ishte duke bartur naftë në Siri, në kundërshtim me sanksionet e BE-së.

Pas këtij veprimi, Garda Revolucionare Britanike ka kapur një anije britanike me 23 persona në bord në Ngushticën e Hormuzit më 20 korrik.

Këto dhe veprime tjera kanë rritur tensionet në luftën e fjalëve në mes të Iranit dhe Perëndimit, sidomos Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë thirrje për krijim të misionit ndërkombëtar për të siguruar transportet ndërkombëtare në Gjirin Persik kundër ndërhyrjeve ilegale.

XS
SM
MD
LG