Ndërlidhjet

Pentagoni ndan 3.6 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufi


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka ndarë 3.6 miliardë dollarë nga fondet e Pentagonit, të cilat do të dërgohen për të ndihmuar murin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Ligjvënësit amerikanë kanë thënë përmes një shkrese se të hollat do të ndahen për ndërtimtari, andaj 127 projekte ushtarake do të jenë në pritje.

Ndërtimi i murit kufitar ka qenë një zotim i madh në fushatën e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili është përballur me kundërshtime të mëdha nga opozita.

Qasja e ashpër ndaj migrimit përbën pikë të fortë të Trumpit edhe në fushatën për rizgjedhje si president.

Në letrën e Sekretarit Esper nuk është përmendur “muri” mirëpo ndalesat kufitare pritet të përmenden nga Trumpi si të dhëna të përparimit për zotimin që ka bërë.

Në muajin korrik, Gjykata Supreme ka thënë se gjendja e emergjencës kombëtare që ka shpallur presidenti amerikan i lejon atij të marrë 2.5 miliardë dollarë nga fondet për mbrojtje, ashtu që të krijojë murin, teksa ky rast shqyrtohet në gjykatë.

Sekretari Esper nuk ka treguar se cilat projekte ushtarake do të jenë në mbajtje, mirëpo një zëdhënës i Pentagonit ka thënë se rreth gjysma e të hollave do të vijnë nga projekte e brendshme.

Demokratët kanë thënë se përmes këtij veprimi, administrata e Trumpit po synon të zvogëlojë rolin e Kongresit në krijimin e buxhetit për agjencitë qeveritare.

Unioni Amerikan për Liri Civile ka premtuar se do të tentojë që përmes një urdhri të gjykatës “të ndalojë abuzimet e presidentit që përmes fuqive emergjente të sigurojë fonde për një mur që ka kundërshtuar Kongresi”.

XS
SM
MD
LG