Ndërlidhjet

Pompeo akuzon regjimin sirian për sulme kimike


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e akuzoi regjimin sirian për përdorim të gazit të klorit në një sulm kundër rebelëve në verilindje të Sirisë.

Pompeo tha se sulmi - në kundërshtim me konventat që e ndalojnë përdorimin e armëve kimike - ka ndodhur në provincën Latakia, më 19 maj.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'i bëjnë presion regjimit tinëzar të (presidentit sirian, Bashar) al-Assad, për t'i dhënë fund dhunës së drejtuar kundër civilëve sirianë", tha Pompeo.

Ai tha se Qeveria siriane ka përdorur armë kimike çdo vit nga 2013-ta, kur Damasku i është bashkuar konventës ndërkombëtare që e ndalon përdorimin e tyre.

Edhe ekspertët ndërkombëtarë e kanë fajësuar Sirinë për disa sulme me armë kimike në vitet e fundit.

Damasku, i mbështetur nga Rusia, e ka mohuar përfshirjen në sulme të tilla dhe për to i ka fajësuar luftëtarët rebelë.

Lufta civile në Siri ka nisur qysh në mars të vitit 2011.

Gati gjysmë milioni njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Rusia dhe Irani i kanë ofruar mbështetje të madhe Assadit gjatë gjithë luftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur grupe të ndryshme rebele.

XS
SM
MD
LG