Ndërlidhjet

Trump i kërkoi Australisë ndihmë për të hetuar Muellerin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka telefonuar kryeministrit të Australisë, Scott Morrison, dhe i ka kërkuar ndihmë për të hetuar punën e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller.

Mueller ka hetuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, të cilat i ka fituar Trump.

Mediat australiane raportojnë se Trump i ka kërkuar Morrisonit ta ndihmojë në gjetjen e provave për diskreditimin e këtyre hetimeve.

Zyrtarët australianë e konfirmuan telefonatën dhe thanë se kryeministri është pajtuar të ndihmojë.

Qeveria e Australisë tha përmes një deklarate se "është gjithmonë e gatshme të ndihmojë dhe bashkëpunojë" në çështje që janë nën hetime.

Udhëheqësi konservator i Australisë është në mesin e aleatëve më të afërt ndërkombëtarë të Trumpit.

Zbulimi i fundit vjen në kohën kur Trump po përballet me procedurat e shkarkimit, për shkak të një telefonate me një udhëheqës tjetër të huaj.

Trump akuzohet për presion ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, për të hetuar për korrupsion rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe djalin e tij.

Mueller, ndërkaq, ka hetuar nëse Trump ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë në zgjedhjet e vitit 2016.

Gjetjet e tij, të publikuara në prill, nuk kanë vërtetuar se fushata e Trumpit ka bërë komplot me Rusinë, në mënyrë që kjo e fundit të ndikonte në zgjedhje.

Gjetjet, megjithatë, nuk e kanë shfajësuar presidentin.

Të tjera në këtë temë:

XS
SM
MD
LG