Ndërlidhjet

SHBA-ja nuk mbështet asnjë parti ose kandidat për zgjedhjet në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

* Lajm i korrigjuar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përmes një deklarate për media, ka thënë se SHBA-ja nuk e mbështet asnjë parti politike ose kandidat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Më tutje, Shtetet e Bashkuara thonë se u përket qytetarëve të Kosovës të zgjedhin për të ardhmen e tyre.

“Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuevse të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, mbahen me 6 tetor. Disa ditë më parë, SHBA-ja u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, që të raportojnë shkeljet që mund të hasin gjatë procesit zgjedhor të 6 tetorit.

Në deklaratën e Shteteve të Bashkuara rikujtohet edhe qëndrimi i vendeve të Kuintit,(Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara), më 30 gusht, ku përmes një deklarate ishte theksuar se këto vende nuk e përkrahin asnjë kandidat të veçantë, ose parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor në Kosovë.

Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë”, thuhej në deklaratën e ambasadorëve të Kuintit.

* Në versionin origjinal të këtij lajmi është thënë gabimisht se reagimi vjen nga vendet e Kuint-it. Deklarata e datës 1 tetor 2019 ka ardhur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG