Ndërlidhjet

Qeveria britanike u prezanton deputetëve planin për Brexit


Ilustrim.

Qeveria britanike pritet të prezantojë para parlamentit të këtij shteti, propozimet për marrëveshjen rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, derisa liderët e BE-së të shqyrtojnë përgjigjjen e tyre.

Të mërkurën, kryeministri britanik, Boris Johnson ka prezantuar planin që parasheh qëndrimin e Irlandës Veriore në tregun evropian të mallrave, mirëpo largim nga sistemi i doganave, që nënkupton kontolle të reja doganore.

Komisioni Evropian ka thënë se mirëpet “përparimet” mirëpo sipas tij problemet vazhdojnë të ekzistojnë.

Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, qëndrimi i të cilit pritet të drejtojë edhe përgjigjjen e BE-së, ka thënë se qasja e Britanisë “nuk ka përmbushur të gjithë objektivat e ndalesës kufitare”.

Ndalesa kufitare është një mekanizëm, që synon të anashkalojë një kufi të ashpër në Irlandë pas finalizimit të procesit të Brexitit.

Megjithatë, ai ka thënë se do të analizojë propozimet në “detaje”.

Qeveria britanike shpreson se do të fillojë një periudhë intensive të negociatave me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare në samitin e Bashkimit Evropian, që organizohet më 17 tetor.

Nëse BE-ja dhe Britania nuk arrijnë të nënshkruajnë një marrëveshje të miratuar nga deputetët britanikë deri më 19 tetor, kryeministri britanik detyrohet të kërkojë shtyrje të negociatave për Brexit, përveç nëse deputetët britanikë votojnë për largim nga blloku evropian pa marrëveshje.

Kryeministri Johnson ka përsëritur vazhdimisht se Britania do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me apo pa marrëveshje, dhe se nuk do të kërkojë zgjatje të afatit.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

XS
SM
MD
LG