Ndërlidhjet

Në Irak shpallet gjendje e shtetrrethimit pas protestave të përgjakshme


Pamje nga protestat e 2 tetorit në Bagdad.

Kryeqyteti i Irakut, Bagdadi është në gjendje të shtetrrethimit, pas dy ditëve të përleshjeve në mes të protestuesve kundër qeverisë dhe forcave të sigurisë.

Kufizimet do të vazhdojnë të zbatohen deri në njoftimin e radhës.

Masa të tilla janë shpallur edhe në tri qytete tjera, pasi janë përshkallëzuar protestat për shkak të papunësisë, shërbimeve të dobëta dhe përshkallëzimit të shkallës së korrupsionit.

Deri më tash si pasojë e dhunës kanë vdekur shtatë persona dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Patformat e rrjeteve sociale janë bllokuar në disa zona.

Protestat kombëtare, të cilat duket se nuk kanë udhëheqës, janë më të mëdhatë prej kur kryeministri, Adel Abdul Mahdi, ka fituar këtë pozitë.

Qeveria është zotuar se do të adresojë shqetësimet e protestuesve, ndonëse ka fajësuar “rebeluesit” për këtë situatë.

Përmes një deklarate, Abdul Mahdi ka thënë se të “gjitha makinave dhe individëve u është ndaluar lëvizja në Bagdad nga ora 5:00 e mëngjesit” të ditës së enjte.

Vizitorët për dhe nga aeroporti i qytetit, ambulancat, punëtorët qeveritarë në spitale, dhe pelegrinët fetarë janë përjashtuar nga kjo masë.

Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje autoriteteve që të jenë të durueshme.

“Secili individ ka të drejtë të flasë lirshëm, duke zbatuar ligjin”, ka thënë përfaqësuesja speciale, Jeanine Hennis-Plasschaert.

Ndërkohë protestuesit kanë thënë se duan ndryshim.

“Ne jemi duke kërkuar ndryshim, në kërkojmë rrëzimin e gjithë qeverisë”, ka thënë një protestues, që ka mbetur anonim për agjencinë e lajmeve, Reuters.

XS
SM
MD
LG