Ndërlidhjet

Ambasada amerikane del me deklaratë pas vizitës së Grenellit


Ambasadori Richard Grenell në takim me presidentin Hashim Thaçi
Ambasadori Richard Grenell në takim me presidentin Hashim Thaçi

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, beson fuqishëm se "zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme", midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në një deklaratë të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Deklarata pason vizitën e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të mërkurën në Prishtinë dhe të enjtën në Beograd.

"Qëllimi është për t'i bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt, duke shikuar nga e ardhmja", thuhet në deklaratë.

Grenell, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Presidentit të Kosovës, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Në Beograd, ai është cituar të ketë thënë se "njerëzit e Serbisë dhe Kosovës duan paqe, zhvillim ekonomik, punë dhe një jetë më të mirë për fëmijët e tyre".

Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së.

Procesi i dialogut është ndërprerë qysh vitin e kaluar, kur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia.

XS
SM
MD
LG