Ndërlidhjet

LDK: Negociatat për koalicion me Vetëvendosjen, pas rezultatit përfundimtar


Vjosa Osmani nga LDK dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që negociatat për formimin e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje t’i vazhdojë pasi që të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Ndonëse më 10 tetor, LDK-ja dhe Vetëvendosje ishin pajtuar në parim, që të nisin negociatat për koalicion, sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka vendosur që negociatat të vazhdojnë pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, duke përfshirë ato nga mërgata, votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa u tha mediave se pas përfundimit të numërimit të votave dhe certifikimit të rezultatit, do të vazhdojnë bisedimet me Vetëvendosjen.

"Zhvillimi i negociatave do të fillojnë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në momenti që certifikohen rezultatet, do të fillojmë bisedimet me Vetëvendosjen", ka thënë Mustafa.

Nga rezultatet preliminare, të publikuara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave.

Këto rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

XS
SM
MD
LG