Ndërlidhjet

Jep dorëheqje presidenti i Unionit Bullgar të Futbollit


Borislav Mihaylov.

Borislav Mihaylov ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Unionit Bullgar të Futbollit.

Kryeministri i këtij shteti, Boyko Borissov, i ka bërë thirrje atij që të japë dorëheqje pas qasjes raciste të tifozëve bullgarë ndaj lojëtarëve anglezë në ndeshjen e zhvilluar të hënën, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2020.

Në ndeshjen e së hënës, që ka përfunduar me rezultat 6:0 në të mirë të anglezëve, tifozët bullgarë kanë bërë përshëndetje naziste.

Unioni Bullgar i Futbollit ka thënë se dorëheqja e Mihaylovit është “pasojë e tensioneve të fundit”, mirëpo nuk ka përmendur racizmin në deklaratë.

Më herët, Ministri bullgar i Sportit, Krasen Kralev ka thënë se qeveria do të pezullojë marrëdhëniet me Unionin Bullgar të Futbollit, duke përfshirë lidhjet financiare.

Në kuadër të ndeshjeve për kualifikim në Euro 2020, një ditë më parë është zhvilluar edhe ndeshja në mes të kombëtares së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi.

Lojëtarët e Kosovës kanë shënuar fitore me rezultat 2:0, në stadiumin ''Fadil Vokrri'' në Prishtinë.

Golat i kanë shënuar Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi.

Kosova është në të njëjtin grup kualifikues për Kampionatin Evropian me Çekinë, Anglinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG