Ndërlidhjet

Peter Handke thotë se do të shmangë shtypin përgjithmonë


Peter Handke
Peter Handke

Laureati austriak i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, tha se nuk do t'iu përgjigjet më kurrë pyetjeve të gazetarëve, pasi u përball me një valë kritikash për mbështetjen e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

Pasi fitoi çmimin javën e kaluar, Handke anuloi një konferencë për media në vendlindjen e tij Grifen, e cila ishte paraparë për sot, bëri të ditur administrata e qytetit.

Shkrimtari, i cili jeton pranë Parisit, duket se e humbi durimin të martën mbrëma në Grifen, kur gazetarët e pritën në një takim me politikanët lokalë dhe e pyetën në lidhje me akuzat se ai i ka injoruar krimet e Serbisë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

"Secili bën pyetje si ju dhe secili që më drejtohet duket se nuk ka lexuar apo nuk di asgjë për çfarë kam shkruar", tha Handke, raporton DPA.

"Unë jam shkrimtar, unë jam i lidhur me Tolstoyn, me Homerin, me Cervantesin. Më lini të qetë dhe mos më bëni pyetje të tilla", tha Handke, duke përjashtuar mundësinë e ndonjë interviste tjetër.

Vendimi i Akademisë suedeze të Shkencave për t'i dhënë Nobelin për Letërsi Handkes shkaktoi kritika në gjithë Ballkanin.

Akademia e Shkencave e Kosovës kërkoi që Handkes t'i tërhiqet çmimi.

Handke, mes tjerash, ka marrë pjesë në varrimin e Millosheviqit, ku edhe ka mbajtur fjalim në mbështetje të tij.

XS
SM
MD
LG