Ndërlidhjet

Policia në Bosnje zhvendos qindra migrantë në një kamp të diskutueshëm


Bihaq, Bosnje dhe Hercegovinë
Bihaq, Bosnje dhe Hercegovinë

Policia në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës zhvendosi qindra migrantë që jetonin në ndërtesa të braktisura dhe hapësira publike dhe i transferoi ata në një kamp të përkohshëm refugjatësh.

Pamjet e publikuara të mërkurën tregonin policinë duke i zhvendosur migrantët në këmbë, drejt kampit Vuçjak, pranë qytetit Bihaq, i cili ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit me Kroacinë.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci - vend anëtar i Bashkimit Evropian - dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim.

Shumica e migrantëve në Bosnje ndodhen në qytetet Bihaq dhe Vellika Klladusha.

Autoritetet lokale janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut për shkak të kushteve në kampin Vuçjak, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95.

Suhret Fazliq, kryetar i Bihaqit, paralajmëroi se qyteti i tij nuk do të mund t'ia dalë më me mijëra njerëzit në kamp dhe tha se administrata e tij do t'i ndërpresë fondet për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës.

Ai tha se Ministria për Siguri e Bosnjës nuk e ka marrë seriozisht krizën.

"Ministria thotë se në Bosnje ndodhen 4,000 migrantë dhe unë them se janë mbi 6,000 vetëm në Bihaq. Bihaqi ka shpenzuar (rreth 50,000 euro) në kampin Vuçjak. Askush nuk na jep asgjë", tha Fazliq.

Sipas disa raportimeve, kampi nuk ka tualete, ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet e Bosnjës kanë thënë se mbi 20,000 njerëz nga Irani, Iraku, Siria, Pakistani, Afganistani dhe vende të tjera kanë udhëtuar nëpër malet e këtij vendi, vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG