Ndërlidhjet

Agjentja ruse, Maria Butina, dëbohet nga SHBA-ja


Maria Butina
Maria Butina

Një grua ruse, e cila ka pranuar se ka vepruar si agjente e paregjistruar në Shtetet e Bashkuara, do të lirohet nga burgu në Florida dhe do të dëbohet.

Avokati i Maria Butinas, Bob Driscoll, tha se autoritetet amerikane të migracionit do ta shoqërojnë atë deri në Rusi.

Butina është arrestuar në korrik të vitit 2018 në SHBA dhe është dënuar me 18 muaj burgim në prill, pasi ka pranuar se ka mbledhur informacione për Shoqatën Kombëtare të Pushkëve në SHBA dhe grupe të tjera amerikane, nën udhëzimet e një ish-ligjvënësi rus.

Ajo ka këmbëngulur se nuk është spiune dhe se të gjitha veprimet i ka bërë në mënyrë të hapur.

Autoritetet ruse thanë se Butina pritet të arrijë në Moskë të shtunën.

Detaje rreth largimit të saj nga SHBA-ja nuk janë të disponueshme tash për tash, tha avokati Driscoll.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka kritikuar dënimin e Butinas, duke e cilësuar si "arbitrar", dhe ka thënë se autoritetet në Moskë "nuk e kuptojnë se përse është dënuar ajo".

XS
SM
MD
LG