Ndërlidhjet

Rusia dërgon qindra ushtarë në kufirin Siri-Turqi


Zona ku patrullon ushtria ruse në Siri

Rusia tha se rreth 300 pjesëtarë të policisë së saj ushtarake kanë arritur në Siri, për të patrulluar në zonën kufitare me Turqinë.

Ky veprim pason një marrëveshje midis Moskës dhe Ankarasë për dëbimin e kurdëve nga zona.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se policia ushtarake ka arritur atje nga Çeçenia, ndërsa janë transferuar edhe mbi 20 automjete të blinduara nga rajonet Rostov dhe Krasnodar, në bazën ruse në perëndim të Sirisë.

Marrëveshja Turqi-Rusi ka pasuar një marrëveshje tjetër midis Turqisë dhe SHBA-së.

Me këtë të fundit, Turqia e ka ndalur ofensivën ndaj forcave kurde përgjatë kufirit të saj, e cila ka zgjatur tetë ditë dhe ka lënë qindra njerëz të vrarë.

Turqia është pajtuar për armëpushim, për t'iu mundësuar kurdëve të ikin rreth 30 kilometra larg kufirit.

Ajo i konsideron milicitë kurde në Siri si "terroriste", edhe pse ato kanë qenë aleate të ngushta të SHBA-së në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur t'i tërheqë trupat amerikane nga Siria, ndërsa të enjten ka thënë se do të mbajë një prani të vogël atje për të mbrojtur fushat e naftës.

XS
SM
MD
LG