Ndërlidhjet

Hetimet për vdekjen e Astrit Deharit kalojnë në Prokurorinë Speciale


Foto nga arkivi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka marrë vendim që rasti i Astrit Deharit, të kalojë nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

“Pas analizimit të prononcimeve në media të familjes së të ndjerit, Astrit Dehari, dhe përfaqësuesit të tyre ligjor, natyrës specifike dhe urgjente të këtij rasti, si dhe në funksion të zhvillimit me efikasitet të procedurës penale dhe evitimit të mëdyshjeve rreth mundësisë së shkeljes së parimit të paanshmërisë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës caktohet të bëjë trajtimin e mëtejshëm procedural të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimi e Prokurorisë së Shtetit.

Po ashtu, në njoftim thuhet se bartësi i kësaj lënde autorizohet të kërkoj që i tërë rasti penal të bartet nga Departamenti i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prizren në Drejtoratin Qendror të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Më 24 tetor Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria tha se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Me këtë konstatim, Prokuroria e ktheu rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.

XS
SM
MD
LG