Ndërlidhjet

Koreja Veriore teston "dy raketa balistike" në Detin e Japonisë


Pamje nga testimet e kaluara në Korenë Veriore.

Koreja Veriore ka nisur dy “raketa” të paidentifikuara në det, ka thënë ushtria jugkoreane.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë, objektet “duket se kanë qenë raketa balistike”.

Në rast se ky njoftim konfirmohet, kjo do të shënonte herën e 12-të të testimeve të kryera këtë vit nga Koreja Veriore.

Më herët gjatë këtij muaji, Koreja Veriore ka testuar një lloj të ri të raketës, që besohet se është nisur nga një nëndetëse.

Raketa, në teori, është thënë se ka kapacitet për të bartur armë bërthamore.

Raketat e lëshuara të enjten janë nisur nga Deti Lindor, i njohur ndryshe edhe si Deti i Japonisë.

Ushtria jugkoreane ka thënë se do të vazhdojë të vëzhgojë lansime tjera të verikoreanëve.

Koreja Veriore besohet se posedon raketa me kapacitet për të arritur në tokën amerikane.

Ky vend po ashtu pretendon se ka bombë bërthamore që mund t’i bashkëngjitet raketës.

Ky lajm vjen në kohën kur janë pezulluar bisedimet për çështje bërthamore në mes të Phenjanit dhe Uashingtonit.

Herën e fundit kur presidenti amerikan, Donald Trump ka takuar liderin verikorean, Kim Jong-un ka qenë në qershor të këtij viti, në kufirin mes dy Koreve.

Ndërkohë bisedimet në mes të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të Koresë Veriore në Suedi kanë dështuar të arrijnë ndonjë përparim në këtë çështje.

XS
SM
MD
LG