Ndërlidhjet

Presidenti aktual rumun shkon në balotazh me ish-kryeministren


Viorica Dancila dhe Klaus Iohannis

Presidenti aktual i Rumanisë, Klaus Iohannis, pritet të përballet në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish-kryeministren Viorica Dancila.

Me gati të gjitha votat e numëruara nga zgjedhjet e së dielës, Byroja Qendrore e Zgjedhjeve tha se Iohannis, i mbështetur nga Partia Nacional-Liberale - subjekt i qendrës së djathtë që mban pushtetin në Rumani - ka dalë i pari me 36.9 për qind të votave.

Dancila, udhëheqëse e Partisë Socialiste Demokratike, e qendrës së majtë, siguroi 23.5 për qind të votave.

Balotazhi do të mbahet më 24 nëntor.

Pjesëmarrja ka qenë më e ulëta në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë post-komuniste - më pak se 48 për qind e mbi 18 milionë votuesve e kanë shfrytëzuar të drejtën për votim.

Hyrja e Dancilas në balotazh shihet si fitore personale për të, pasi ka thënë se do të japë dorëheqje si udhëheqëse e partistë në rast të humbjes në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Iohannis, në anën tjetër, është zotuar se do të vazhdojë të forcojë sundimin e ligjit dhe se do të luftojë korrupsionin - problemin endemik të Rumanisë që nga rënia e komunizmit, tri dekada më parë.

Rumania, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara evropiane.

Në një raport muajin e kaluar, Komisioni Evropian e ka kritikuar ashpër Bukureshtin për ngecjen në reformat gjyqësore dhe luftimin e korrupsionit.

XS
SM
MD
LG