Ndërlidhjet

Polonia kërkon ndryshime në dokumentarin e Netflix-it për rojen e kampit të vdekjes


Ilustrim

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kërkoi nga Netflix - kompani amerikane e transmetimit dhe prodhimit - të bëjë ndryshime në një dokumentar, i cili përfshin një hartë që tregon kampe naziste të vdekjes brenda kufijve të Polonisë moderne.

Kampet u ndërtuan nga nazistët në tokën polake gjatë okupimit të Polonisë në Luftën e Dytë Botërore, por harta e përdorur në dokumentar, tha Morawiecki, nënkupton që Polonia ekzistonte në atë kohë si shtet i pavarur brenda kufijve të saj të pasluftës dhe kështu mund të ndajë përgjegjësinë për mizoritë.

Harta shfaqet në dokumentarin e Netflix-it "The Devil Next Door", i cili tregon historinë e John Demjanjuk, një punëtor i pensionuar amerikan, i dënuar nga një gjykatë gjermane në vitin 2011, për rolin e tij si roje e një kampi nazist të vdekjes, gjatë luftës.

"Nuk ka asnjë koment ose ndonjë shpjegim se këto lokacione (në hartë) operoheshin nga Gjermania", tha Morawiecki në letrën dërguar shefit ekzekutiv të Netflix-it, Reed Hastings.

"Meqë vendi im nuk ka ekzistuar në atë kohë si shtet i pavarur dhe miliona polakë janë vrarë në këto lokacione, ky element i 'The Devil Next Door' nuk është asgjë më pak se rishkrim i historisë", tha ai.

Morawiecki po ashtu tha se beson se gabimi është i paqëllimshëm dhe se kompania do ta korrigjojë shpejt, qoftë duke modifikuar hartën ose duke dhënë shpjegime të mëtejshme për shikuesit.

I pyetur për këtë çështje, një zëdhënës i Netflix-it i tha Reuters-it se kompania është e vetëdijshme për shqetësimet dhe se po e rishikon çështjen me urgjencë.

Polonia është shumë e ndjeshme ndaj sugjerimeve se mund të ndajë ndonjë pjesë të përgjegjësisë për krimet naziste të kryera në territorin e saj.

XS
SM
MD
LG