Ndërlidhjet

Trump do ta shqyrtojë dhënien e dëshmisë në hetimet kundër tij


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se i pëlqen "ideja" e dëshmisë në kuadër të hetimeve që po bëhen për shkarkimin e tij.

Në një postim në Twitter, Trump tha se "do ta shqyrtojë fuqishëm" këtë veprim, të cilin e sugjeroi në fundjavë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

"Presidenti është i mirëpritur të flasë të vërtetën para hetuesve, nëse dëshiron", tha Pelosi.

Trump po hetohet nga rivalët demokratë nëse ka kërkuar ose jo ndihmë, në mënyrë të padrejtë, nga Ukraina, për të rritur shanset e tij për rizgjedhje në vitin 2020.

Trump, i cili është republikan, akuzohet se i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për të zbuluar informacione të dëmshme për njërin nga sfiduesit e tij kryesorë demokratë, Joe Biden, dhe djalin e tij, Hunter.

Ai e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.

Trump vazhdimisht i ka cilësuar këto hetime si "mashtrim" dhe "gjueti shtrigash".

XS
SM
MD
LG