Ndërlidhjet

SHBA i zemëron palestinezët me qëndrimin ndaj vendbanimeve izraelite


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk i konsideron më vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Vendimi i tillë shihet si përmbysje e politikës që ka ndjekur SHBA-ja për katër dekada me radhë, por edhe si goditje mbi përpjekjet e palestinezëve për të fituar shtetësinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara nuk e njohin më opinionin juridik të Departamentit të Shtetit, të vitit 1978, sipas të cilit, vendbanimet civile në territoret e okupuara janë "në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar".

"Cilësimi i vendbanimeve civile si shkelje e së drejtës ndërkombëtare nuk e ka avancuar kauzën e paqes", tha Pompeo.

Video: Ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së për vendbanimet izraelite

Ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së për vendbanimet izraelite
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:33 0:00

Udhëheqësit izraelitë e mirëpritën vendimin, ndërsa palestinezët dhe vendet e tjera paralajmëruan se ai zvogëlon çdo shans për një marrëveshje më të gjerë paqeje.

"Administrata e Shteteve të Bashkuara e ka humbur besueshmërinë për të luajtur ndonjë rol të ardhshëm në procesin e paqes", tha Nabil Abu Rdeneh, zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas.

Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, tha se vendimi i SHBA-së është rrezik për "stabilitetin global, sigurinë dhe paqen" dhe tha se kërcënon të zëvendësojë ligjin ndërkombëtar me "ligjin e xhunglës".

Bashkimi Evropian paralajmëroi për pasoja të mundshme pas njoftimit të SHBA-së.

“I gjithë aktiviteti rreth vendbanimeve është i paligjshëm me ligjin ndërkombëtar dhe shkatërron realizimin e zgjidhjes me dy shtete dhe perspektivat për paqe të qëndrueshme”, tha përmes një deklarate blloku 28-anëtarësh.

BE-ja po ashtu i bëri thirrje Izraelit që të ndalojë gjithë aktivitetin rreth vendbanimeve, në përputhje me, siç tha, detyrimet e tij si “fuqi okupuese”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ndryshimi i politikës "e përmirëson një gabim historik" dhe u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Edhe pse vendimi është kryesisht simbolik, ai mund t’i japë fuqi Netanyahut, i cili po lufton për mbijetesën e tij politike, pasi dështoi të formojë qeverinë e koalicionit, pas zgjedhjeve të fundit.

Ai po ashtu mund të shkaktojë telashe të mëtejshme për planin e administratës për paqe, i cili thuhet se nuk ka gjasa të fitojë shumë mbështetje ndërkombëtare, duke miratuar një pozicion që shkon në kundërshtim me konsensusin global.

Çështja e vendbanimeve hebraike përbën një nga problemet më të mëdha midis Izraelit dhe palestinezëve.

Rreth 500,000 hebrenj jetojnë në rreth 140 vendbanime të ndërtuara që nga okupimi izraelit i Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor, gjatë luftës së vitit 1967.

Palestinezët kanë kërkuar prej kohësh heqjen e të gjitha vendbanimeve, duke argumentuar se prania e tyre në tokën që ata e pretendojnë për një shtet të ardhshëm të pavarur, e bën pothuajse të pamundur krijimin e shtetit palestinez.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG