Ndërlidhjet

Gjeneralmajor Michele Risi merr komandën e KFOR-it


Foto ilustrim

Në selinë e forcës shumëkombëshe të KFOR-it në Prishtinë është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të komandës.

Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario ia dorëzoi detyrën komandantit të ri të kësaj force, gjeneralmajor, Michele Risi.

Ky i fundit u shpreh falënderues dhe tha se shtetet aleate të NATO-s po kontribuojnë për sigurinë në Kosovë e më gjerë.

“Dua t’i falënderoj 20 shtetet aleate dhe 8 shtetet partnere, të cilat po i kontribuojnë sigurisë së tërë popullatës së Kosovës, për të cilën besoj fuqishëm se edhe është shtytësi kyç i stabilitetit të Kosovës dhe tërë rajonit”, tha Risi.

Në ceremoni, kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj si dhe personalitete tjera.

“Jam i lumtur të shoh që nga bashkëpunimi ynë ka lindur Ushtria e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës si një forcë profesionale, shumë-etnike në shërbim të çdo qytetari të Kosovës. Zhvillimi i Ushtrisë së Kosovës, FSK-së do të thotë që në një të ardhme të afërt do të realizohet aspirata jonë e drejtë që jo vetëm NATO të jetë në Kosovë, por Kosova të jetë në NATO”, tha presidenti Thaçi.

Pas përfundimit të ceremonisë së ndërrimit të komandës, në një konferencë për media, admirali James Foggo, komandant i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, u bëri thirrje partive politike, sidomos atyre që fituan zgjedhjet, që pa vonesa të formojnë qeverinë e re të Kosovës.

Hyrja e trupave të NATO-s, më 12 qershor 1999 në Kosovë, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, u vendosën rreth 50,000 ushtarë nga 36 vende, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Njëzet vjet pas kësaj ndërhyrje, trupat paqeruajtëse të KFOR-it numërojnë nga 6 deri në 7 mijë ushtarë, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës, me mision paqeruajtës.

XS
SM
MD
LG