Ndërlidhjet

Ushtria izraelite sulmon caqet iraniane në Siri


Foto ilustrim

Ushtria izraelite njoftoi se ka goditur caqet iraniane në Siri. Operacioni ndodhi si hakmarrje ndaj sulmit me raketa në Rrafshnaltën e Golanit në Izrael.

Më 20 nëntor, aeroplanët luftarakë, goditën objektivat që i përkisnin njësive Kuds të Iranit që janë pjesë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Ushtria izraelite tha se një numër i baterive të mbrojtjes ajrore siriane u shkatërruan pasi ushtria e Sirisë shkrepi një raketë të mbrojtjes ajrore.

Media shtetërore siriane raportoi se dy civilë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga raketat izraelite pranë kryeqytetit, Damask.

Agjencia e lajmeve SANA gjithashtu tha se mbrojtja ajrore siriane shkatërroi shumicën e raketave izraelite, para se të arrinin objektivat e tyre.

Izraeli shpesh ka shënjestruar caqet iraniane në Siri, në përpjekje për të parandaluar Teheranin të krijojë një prani të përhershme ushtarake atje.

Irani, së bashku me Rusinë, i ka ofruar mbështetje thelbësore presidentit sirian, Bashar al-Asad, gjatë luftës civile në Siri, e cila filloi pas një goditje të dhunshme të qeverisë ndaj protestuesve, në mars të vitit 2011.

Më 19 nëntor, Izraeli tha se sistemi i tij i mbrojtjes goditi katër raketa të lëshuara nga Siria në drejtim të Rrafshnaltës së Golanit, një javë pasi një sulm ajror izraelit shënjestroi një militant të rangut të lartë palestinez me qendër në Siri.

Akram al-Ajuri i grupit të Xhihadit Islam i mbijetoi sulmit por familjarët e tij u vranë.

"Sulmi i djeshëm i Iranit ndaj Izraelit është një dëshmi e qartë për qëllimin që ka Irani në Siri. Irani kërcënon sigurinë e Izraelit, stabilitetin rajonal dhe regjimin sirian", tha ushtria izraelite.

"Kushdo që na dëmton, ne do t'i dëmtojmë ata. Kjo është ajo që bëmë sonte", tha kryeministri Benjamin Netanyahu, duke shtuar se Izraeli "do të vazhdojë të mbrojë në mënyrë agresive sigurinë e e vendit".

Irani ka dërguar forca në Siri, mbështet lëvizjen shiite të Libanit Hezbollah dhe grupin militant Xhihadi Islam në Rripin e Gazës.

XS
SM
MD
LG